Komunat demantojnë ministren Nagavci: Listat e pagave i kemi dorëzuar me kohë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ua ka hedhur fajin komunave për pagat, të cilat sipas saj janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar dhe e kanë obligim të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministri të Financave, një gjë të tillë nuk e kanë bërë.

Kështu ka deklaruar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, teksa ka folur për mosekzekutimin e pagave të muajit shtator për mësimdhënësit që ishin në grevë.

Por këtë deklaratë e ka demantuar Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave të Kosovës. Ai për Sinjalin tha se të gjitha komunat i kanë dorëzuar listat e pagave para 10 shtatorit.

“Ajo deklaratë e ministres nuk qëndron. Të gjitha komunat i kanë dorëzuar listat e pagave para 10 shtatorit dhe niveli qendror e ka obligim ligjor t’i ekzekutojë pagat prej listave të pagave që dorëzohen nga komunat e jo të ndërhyjë se kujt duhet t’i bëhet pagesa e kujt jo.

Vetëm sektori i arsimit është i prekur nga kjo. Ne po shpresojmë dhe duam të besojmë që deri më 5 tetor kur edhe mbaron afati ligjor për ekzekutimin e pagave të merret parasysh. Po presim se çka do të ndodh deri nesër”, tha Ibrahimi për Sinjalin.

Ibrahimi po ashtu tha se edhe në komunat e banuara me shumicë serbe, punëtorët e arsimit nuk janë paguar për muajin shtator edhe nuk kanë mbajtur grevë.

“Kam biseduar edhe me kryetarin e Parteshit dhe përfaqësues të komunave të Ranillugut dhe Novobërdës, ata kanë punuar, pra nuk kanë qenë në grevë megjithatë nuk kanë marra paga. Pra, nuk qëndron ajo se kush ka punuar ka marrë pagë. Po flas për sektorin e arsimit”, përfundoi Ibrahimi.

/GazetaSinjali/